TIRANE, 24 qershor 2013 – Ndërsa procesi i numërimit të votave po vijon normalisht në të gjitha qarqet e vendit, ambasadori i BE-së në vendin tonë Ettore Sequi dhe kreu i delegacionit të PE-së për marrëdhëniet me Evropën Juglindore, Eduard Kukan, zhvilluan takime me liderët e partive kryesore. 

Ambasadori Sequi dhe zoti Kukan mbërritën në zyrën e kryeministrit Berisha rreth orës 10:00, ndërsa takimi ka zgjatur vetëm 30 minuta. Menjëherë pas takimit me kryeministrin, Sequi dhe Kukan zhvilluan një takim të shkurtër edhe me liderin e PS-së Edi Rama në selinë rozë. 

Pas takimit, Kukan u ndal para gazetarëve ku theksoi sërish rëndësinë që kanë këto zgjedhje për të ardhmen e Shqipërisë. 

“Këto janë zgjedhje vendimtare për Shqipërinë Përgjegjësi e liderëve politikë për mbarëvajtjen.”- theksoi Kukan. 

Kreu i delegacionit të PE-së bëri të ditur se kryeministri Berisha e kishte garantuar se do të pranonte verdiktin e qytetarëve. 

Zoti Kukan e cilësoi përgjithësisht të qetë ditën e zgjedhjeve, ndërsa përmendi ngjarjen e rëndë në Laç, ku një simpatizant i LSI-së u vra me armë zjarri, ndërsa një kandidat i PD-së u plagos. 

“Dita e zgjedhjeve e qetë, kishte disa incidente të vogla. Shpreh keqardhje për ngjarjen në Laç, është një akt kriminal”- u shpreh Kukan. 

Ndërkohë ambasadori Sequi nuk pranoi të jepte asnjë prononcim për mediat, duke paralajmëruar një dalje publike më vonë.