TIRANE – Ambasadori i BE-së Ettore Sequi duke folur për zgjedhjet e ardhshme politike, tha se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve luan një rol të rëndësishëm për mbarëvajtjen e tyre.
“Cilësia e zgjedhjeve çështje tepër e rëndësishme, për këtë arsye është mese e qartë që nuk flasim vetëm për ditën e zgjedhjeve por edhe për kohën e parapërgatitjes. Mendojmë që përgatitja shkon tek cilësia. Është tepër e qartë që KQZ ka rol një kyç në cilësinë e zgjedhjeve. Në fund të vitit të shkuar jam takuar me kryetaren e KQZ dhe kam tepër besim në profesionalizmin e tyre”,- tha ambasadori.
Sipas tij, vendimet në KQZ duhet të merren me konsensusin e të gjithë anëtarëve. Sequi apeloi ndër të tjera që këto vendime të mos jenë të ndikuara politikisht.
“Është e qartë që vendimet e KQZ janë tepër me rëndësi për zgjedhjet, vendimet në KQZ kërkojnë edhe konsensus, dhe për rolin e vetë KQZ në këndvështrimin e BE duhet të mos ndikohet nga presionet apo ndërhyrjet politike. Prandaj ne kemi besim që KQZ do të marrë të gjitha masat në mënyrë që të kemi zgjedhje të lira e të ndershme sipas të gjitha standardeve. BE mendon se Shqipëria meriton pikërisht këtë”,- përfundoi ai.





