Bashkimi Europian, ashtu si dhe sekretarja amerikane e shtetit, Hilari Klinton dhanë gjatë javës të njëjtat këshilla për politikën shqiptare: luftë ndaj korrupsionit, sundimi i ligjit, zgjedhje të lira. Madje ambasadori i BE-së, Ettore Sequi, ka qenë më i drejtpërdrejtë teksa kërkoi që politika shqiptare të përmbushë kërkesat e parashtruara nga Klinton. "Kjo koiçidencë për Shqipërinë mes BE-së dhe SHBA-së është sepse BE dhe SHBA ndajnë të njëjta vlera dhe ndajnë të njëjtin mendim se integrimi i Shqipërisë është i rëndësishëm jo vetem për të mirën e shqiptarëve, por dhe për stabilitetin dhe për këtë nuk duhet vetëm bashkëpunim i politikës, por dhe i qytetarëve dhe medias", – ka pohuar Sequi.
Ai e bëri këtë deklaratë nga qyteti i Shkodrës ku prezantoi "Raportin e Progresit për Shqipërinë – 2012". Lidhur me konkluzionet e këtij raporti, ambasadori i BE, vlerësoi se Shqipëria ka bërë progres, duke kërkuar të vijohet në këtë frymë si dhe të përmbushë disa nga pikat që kryediploamatja amerikane, Hilari Klinton nënvizoi dy ditë më parë.
Lidhur me tri kushtet e vendosura nga BE për marrjen e statusit nga ana e Shqiperisë, ai tha se shpreson se një gjë e tillë mund të bëhet realitet, por gjithsesi, theksoi se nuk kërkon të jetë në rolin e parashikuesit.
"Kërkesat e BE i ripërsëriti edhe Sekretarja Amerikane e Shtetit gjatë vizitës së saj në Tiranë. Bashkëpunim dhe dialog politik për plotësimin e reformave që nuk janë realizuar, në mënyrë që të merret statusi kandidat në BE. Komisioni Europian do të nxjerrë dhe një raport tjetër pas plotësimit të kërkesave. Nevojitet pavarësi e sistemit gjyqësor, luftë kundër korrupsionit. Shqipëria duhet të bëjë progres në mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe luftën ndaj diskriminimit. Synimi ynë është që Shqipëria të funksionojë më mirë. BE ka investuar në Shqipëri rreth 530 milion euro, ku nga këto 25 milion euro vetëm për rajonin e Shkodrës. Kam thënë që miratimi i statusit është i mundshëm, por ndërkohë vendimin e marrin të gjitha shtetet anëtare. Mendoj që marrja e statusit është diçka e e mundshme dhe shpresoj që një gjë e tillë të ndodhë", – nënvizoi ai.
Një tjetër element i rëndësishëm kanë qenë edhe zgjedhjet elektorale të 2013, ku Sequi ka nënvizuar faktin se zgjedhjet duhet të jenë në përputhje me standardet ndërkombëtare. "Zgjedhjet e lira garantojnë konsensusin ndërpartiak. Duhet angazhim ndërpartiak për zgjedhje të lira dhe të ndershme", – theksoi ambasadori i huaj.
Lidhur me zgjedhjen e Prokurorit të ri të Përgjithshëm, ambasadori i BE tha se "të gjitha institucionet në Shqipëri, edhe zgjedhja e Prokurorit të Përgjithshëm, duhet të bazohen në pavarësi, profesionalizëm dhe integritet pa anashkaluara institucionet shtetërore dhe duhet të jetë pjesë e këtyre parimeve".