TIRANË, 3 korrik 2013 – Ambasadori i BE-së në vendin tonë, Ettore Sequi zhvilloi sot një takim me liderin e LSI-së, Ilir Meta. Në një konferencë për mediat, në përfundim të takimit, ambasadori Sequi theksoi rëndësinë e gjithëpërfshirjes në përmbushjen e reformave të nevojshme, që do ta bëjnë Shqipërinë të ecë përpara në rrugën drejt BE-së. Sipas ambasadorit Sequi, Shqipëria i ka të gjitha mundësitë për të marrë statusin kandidat për në BE.
“Të ecet përpara në mënyrë të suksesshme në rrugën drejt BE-së. Pas zgjedhjeve ne kemi besim se do të ketë një tranzicion të mirë drejt pushtetit, që të përqëndrohet puna të axhenda e reformave të nevojshme për Shqipërinë. Mbeta i kënaqur nga përdorimi i një fjalë, gjithëpërfshirje që është kyçe, sepse procesi i integrimit është proces që përfshin të gjithë vendin. Të gjitha mundësitë janë për vendin që të merret statusi i vendit kandidat, ne kemi besim që kjo do të jetë e mundur edhe në sajë të këtij angazhimi të ri”- deklaroi ambasadori.
Nga ana e tij, Meta theksoi angazhimin për plotësimin e reformave për marrjen e statusit dhe integrimin e vendit në BE, duke nënvizuar se në këtë proces do të ketë gjithëpërfshirje.
“Këto zgjedhje dhanë një mesazh të qartë, për të ecur më shpejt në rrugën e integrimit evropian të vendit. E garantova ambasadorin Sequi se do të vazhdojmë të punojmë akoma më shumë për të çuar përpara reformat që shpejtojnë marrjen e statusit kandidat. Eshtë e gjithë mundësia për të krijuar një klimë me themele afatgjata të bashkëpunimit midis mazhorancës së re dhe opozitës së re.”- u shpreh Meta.
Lideri i LSI-së bëri të ditur se në qendër të bisedës me ambasadorin Sequi ishin vlerësimet për zgjedhjet e 23 qershorit.
“Shpreha falënderimet më të përzemërta për angazhimin e tij dhe angazhimin e BE, Komisionit Evropian dhe parlamentit evropian që ishte mjaft aktiv për monitorimin këtyre zgjedhjeve, sepse dihet që këto zgjedhje ishin një moment kyç për të ardhmen e statutit kandidat.”- deklaroi Meta.





