TIRANË, 18 prill 2013- Ambasadori i BE-së në vendin tonë ka komentuar edhe sot zhvillimet politike në vend. Ai e ka vënë theksin tek rëndësia që kanë zgjedhjet e lira, të ndershme dhe me standarde, ndërsa shtoi se ato janë test edhe për funksionimin e institucioneve.
“Për Bashkimin Europian është thelbësore që zgjedhjet të zhvillohen sipas standardeve evropiane. Është me rëndësi themelore për BE pasi ky do të jetë një test për një funksionim sa më të mirë të institucionet demokratike”, tha ai.
Duke u ndalur tek KQZ-ja, ku së fundi janë dorëhequr dy anëtarë të saj, Sequi komentoi se do ndjekë procesin, ndërsa apeloi edhe njëherë pavarësi për institucionet.
“Një mesazh tjetër që Baronesha Ashton dha është rëndësia e pavarësisë së institucioneve dhe ndërtimi i besimit dhe konfidencës tek votuesit. Sipas pikëpamjes sonë për këtë kanë nevojë shqiptarët për një proces që bazohet tek besimi, konfidenca dhe standardet”, tha ai.
Këto deklarata ambasadori i bëri pas përfundimit të konferencës për të drejtat e pronësisë.





