25 shtator 2015 – Sot paradite së bashku me udhëtarët e tjerë të kroçerës “Ocean Majesty” në Durrës kanë zbritur edhe tre turistë serbë. Një grua serbe me fëmijët e saj i janë bashkuar grupit të turistëve gjermanë dhe austriakë që vizituan për disa orë qytetin bregdetar dhe rrethinat e tij.

Një lajm i tillë, që ditët e fundit mund të lidhet vetëm me ndeshjen e futbollit të 8 tetorit, në fakt nuk habit më askënd.

Një guidë turistike durrsake, që flet edhe në gjuhën serbo-kroate pohon se ende nuk ka grupe të mirëfillta turistike nga Serbia, por individë të shumtë mbërrijnë për t’u njohur me vendin fqinj jugor.

“Kam shoqëruar delegacione nga institucione të ndryshme serbe, të cilat më pas kanë vizituar edhe qendra historike dhe muzeale”, shprehet përkthyesi, duke shtuar se me siguri së shpejti do të kemi edhe grupe vizitorësh nga Serbia.

/portali DurresLajm/