24 orë pas pushimit të reshjeve të shiut, banorët e zonës së ish-Kënetës kanë organizuar një protestë për të ngritur zërin për shtëpitë e tyre që janë ende nën ujë.
Situata në zonë vijon të mbetet kritike, siç e pasqyroi edhe më herët “DurrësLajm”, pasi katet e para të shumë banesave janë nën ujë, ndërsa dëmet materiale për çdo familje janë të konsiderueshme, duke pasur parasysh këtu faktin që brenda pak muajsh ata përmbyten për të tretën herë.
Banorët kanë shprehur indinjatën e tyre në protestë për rolin e munguar të shtetit për t’u ardhur në ndihmë në këto momente të vështira për ta, kur uji ende nuk po tërhiqet nga shtëpitë dhe oborret e tyre.
Pas një nate të kaluar si mos më keq, protestuesit shprehen se as grupet e verifikimit nuk kanë ardhur për të parë nga afër gjendjen e banesave të tyre dhe dëmet e mëdha të shkaktuara në katet e para, ku uji ka arrdhur nivelin deri në 70cm gjatë ditës së djeshme.
“Të vijnë të na shohin, sepse jemi në mëshirë të fatit”, “Nuk po na ndihmon askush”- thanë ndër të tjera banorët protestues.





