Një incident i rëndë është regjistruar në plazhin Jaz në Malin e Zi, ku një familje shqiptare është detyruar të largohet për shkak të provokimeve të vazhdueshme nga një grup pushuesish serbë.
Pamjet e publikuara në rrjetet sociale tregojnë se pushuesit serbë këndojnë këngë ofenduese ndaj shqiptarëve dhe provokojnë duke varur në çadrën e tyre një peshqir me flamurin e Serbisë.
Familja shqiptare u identifikua nga serbët për shkak të një peshqiri me simbolet e flamurit kuqezi, pas së cilës nisën provokimet ndaj tyre.
Për të shmangur përshkallëzimin e situatës, familja shqiptare, e cila përfshin edhe fëmijë të mitur, u detyrua të ndërpresë pushimet dhe të largohet nga plazhi.
Ndërkohë, serbët filmonin dhe shpërndanin në rrjetet sociale pamjet e largimit të familjes shqiptare, duke e konsideruar këtë si një fitore ndaj tyre.
Ngjarja ndodhi përpara syve të pushuesve të tjerë dhe ka shkaktuar reagime të shumta në rrjetet sociale, ku komentuesit denoncojnë sjelljen e papranueshme të serbëve ndaj shqiptarëve gjatë pushimeve në Malin e Zi.