PRISHTINE – Një organizatë serbe, “Srpski Narodni Pokret”, ka dërguar të shtunën fotografi të Ramush Haradinajt, në adresë të mediave, të bëra gjatë vitit 2000 menjëherë pas përleshjes së tij me trupat ruse të stacionuara në Kosovë.
Sipas Expres në fotot e publikuara shihet një ushtar rus duke e “shoqëruar” Haradinajn me duar të lidhura, ndërsa në tjetrën disa persona të shtrirë në asfalt dhe ushtarët rusë me fytyra të mbuluara.
“Komunikata” i është dërguar edhe Kryeministrit të Serbisë Ivica Dacic, të cilit kjo organizatë ia bënë me dije se si “negociohet me terroristët”.
Aty jepet edhe versioni i kësaj ngjarje ku thuhet gabimisht se gjithçka ka ndodhur në Mushtishtë afër Suharekës. Siç dihet përplasja ka ndodhur në magjistralen Prishtinë-Pejë në afërsi të Klinës.
“Njësia ruse pjesë e KFOR’it kishte ndalë një veturë me terroristë të armatosur në mesin e të cilëve ishte edhe Haradinaj. Pasi që shumë shpejtë janë mposhtur dhe çarmatosur Haradinaj i ka thënë parashutistit rus se është xhudist dhe se do të bisedonin ndryshe po të mos ishte ai armatosur”, thuhet në njoftimin e kësaj organizate nacionaliste serbe.
Më pas aty theksohet se ushtaraku rus ka urdhëruar që t’i zgjidhen duart Haradinajt dhe ka filluar dueli mes tyre të cilin sipas kësaj organizate e ka fituar rusi.
Kjo organizatë tashmë i ka nxjerrë në shitje këto fotografi.
Sipas njoftimit, të dërguar nga organizata serbe njësia ruse fotografinë e publikuar më parë ia ka dhuruar një serbi me emrin Igor Marinkovic. Aty thuhet se porosia e fotografive ndër të tjera nënkupton edhe gatishmërinë e rusëve për të marrë pjesë vullnetarisht në mbrojtjen e Kosovës.
Fotot e publikuara duket se janë autentike.