Për të dytën ditë me radhë, punonjësit e institucioneve paralele serbe, që së fundi u mbyllën nga autoritetet e Kosovës, kanë protestuar para objekteve ku gjendeshin këto institucione. 

Protestuesit, përfshirë punonjës të komunës paralele të Mitrovicës, thanë se tubimi i tyre është paqësor dhe përsëritën se administrata e kësaj komune, që Kosova e konsideron ilegale, ka ofruar shërbime për të gjithë qytetarët. 

Më 30 gusht, në një aksion në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe, Policia e Kosovës mbylli pesë institucione paralele serbe. Qeveria e Kosovës tha se institucionet e mbyllura kanë funksionuar nën udhëheqjen e Serbisë, duke e “cenuar kushtetutshmërinë dhe ligjet e Republikës së Kosovës”. 

Institucionet e mbyllura me 30 gusht ishin: Qarku i Mitrovicës së Kosovës, Komuna paralele e Mitrovicës, Komuna paralele e Zveçanit, Komuna paralele e Zubin Potokut dhe Komuna paralele e Leposaviçit. 

Shasha Petroviç, udhëheqës i administratës në komunën paralele të Mitrovicës, tha se kjo komunë ka punuar pa ndërprerje që nga viti 1945, duke ofruar shërbime për qytetarët pa dallim kombësie e feje. Ai pretendoi se autoritetet e Kosovës ua kanë ndaluar punën pa ndonjë vendim, njoftim apo shpjegim. 

Petroviç i bëri thirrje bashkësisë ndërkombëtare, veçmas Bashkimit Evropian, që t’i ndihmojnë që të kthehen në punë. 

Vuçina Jankoviç, kryetar i Qarkut të Mitrovicës së Kosovës, institucionit të mbyllur që ka funksionuar sipas sistemit serb, tha se “këto nuk janë institucione paralele, por institucione që ofrojnë shërbime për të gjithë qytetarët”. 

Ai tha se po protestojnë në mënyrë paqësore, demokratike, teksa u bëri thirrje autoriteteve të Kosovës që “t’i thërrasin mendjes dhe të na lejojnë të kthehemi në punë”. Ai po ashtu kërkoi nga komuniteti ndërkombëtar, “i cili flet për sundim të ligjit dhe mbrojtjen e minoriteteve që të ndërmarrin hapa konkretë në përputhje me mandatin dhe misionin e tyre”. 

Afër vendit ku serbët protestuan më 3 shtator u panë dy automjete të Misionit të Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë (EULEX). 

Dy vetura të Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë janë vendosur në afërsi të vendtakimit të serbëve të martën në mëngjes. 

Në disa nga objektet që më herët ishin përdorur nga institucionet, që funksionin sipas sistemit serb, ditëve të fundit janë vendosur pllaka që tregojnë se tani ato do të përdoren si zyra për disa nga ministritë e Kosovës dhe departamentet e tyre. 

Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian, Franca, Gjermania dhe Mbretëria e Bashkuar kanë kritikuar veprimet e Qeverisë së Kosovës në veri, duke i cilësuar si të njëanshme dhe të pakoordinuara. 

Në Kosovë, ka komuna, kompani e ndërmarrje publike, çerdhe, shkolla fillore, të mesme dhe universitete publike që financohen drejtpërdrejt nga Qeveria e Serbisë, dhe të cilat gjenden në qytetet dhe vendbanimet ku jetojnë komuniteti serb. 

Këto institucione sipas ligjeve në Kosovë janë ilegale. 

Më 2013, Kosova dhe Serbia në dialogun për normalizimin e raporteve në Bruksel, kishin arritur një marrëveshje për shuarjen e institucioneve paralele, por ende kjo marrëveshje nuk është zbatuar plotësisht./REL