Beogradi ka shprehur pakënaqësinë e tij për vonesën e miratimit nga ana e Kosovës së ligjit për krijimin e bashkësisë së komunave serbe. Zëvëndëskryeministri dhe ministri i jashtëm serb Ivica Dacic ka deklaruar se Kosova duhet t’i përmbushte impenjimet e marra.

“Shqiptarët në mënyrë të vazhdueshme po e evitojnë themelimin e bashkësisë, – ka deklaruar ministri i jashtëm serb. – Por, ajo për të cilën jemi marrë vesh duhet të kryhet.”

Kosova dhe Serbia janë përfshirë në një proçes të gjatë për normalizimin e marrëdhënieve, proçes ky që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian. Prishtina dhe Beogradi kanë nënshkruar disa marrëveshje që, pavarësisht debateve, janë ratifikuar në Kuvend. Marrëveshja e fundit, ajo për formimin e bashkësisë së komunave serbe, ka gjetur kundërshtimin e fortë të opozitës. Kjo marrëveshje është dërguar për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese, gjë që ka vënë në dyshim të fortë miratimin e saj të mëvonshëm. Kjo marrëveshje shihet nga opozita si ndarje faktike e Kosovës.