Autoritetet serbe po hetojnë dy rreth dy raketave me mbushje eksplozive, që u gjetën të paketuara brenda një avioni pasagjerësh, që kishte fluturuar nga Libani për në Serbi. Raketat u zbuluan të shtunën nga qentë e nuhatës, pas një fluturimi të Air Serbia nga Bejruti në Beograd.
Mediat serbe bëjnë me dije se, duke parë shënimet mbi paketimin e dy raketave, destiancioni final i tyre ishte në Portland, Oregon, me një ndalesë në Londër. Por, raketat nuk duhet të ishin në avionin e Air Serbia, gjë që tregon se gabimi është bërë në aeroportin e Bejrutit. Raketat e prodhimit amerikan janë të modelit AGM 114 Hellfire, që mund të hidhen nga ajri, deti apo platformat tokësore.
"Ne mund të konfirmojmë se një dërgesë e mallrave, e destinuar për një destinacion tjetër, u zbulua në aeroportin e Beogradit, si rezultat i masave të rrepta të sigurisë," – ka thënë Air Serbia.
Një histori e ngjashme, me të njëjtin model rakete, ka ndodhur edhe në fillin të vitit 2014. Kompania amerikane Lockheed Martin, e cila prodhon raketën AGM 114 Hellfire, kishte dërguar në Spanjë një model të veçantë të saj për t'u provuar gjatë manovrave ushtarake të NATO atje. Më pas, raketa do të kthehej në Shtetet e Bashkuara, duke bërë një ndalesë në Gjermani. Por, gabimisht, raketa përfundoi në Kubë, duke rrezikuar të dëmtonte marrëdhëniet në përmirësim mes dy vendeve. Por, Havana, në vend që ta dërgonte raketën në Rusi, për t'u studiuar dhe kopjuar, ia ktheu mbrapsht Uashingtonit të paprekur.