Kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, është shprehur krenar që qeveria e tij ka mbrojtur ligjet dhe dinjitetin e Serbisë, si dhe dinjitetin qytetar të udhëheqësit të Partisë Radikale Serbe, Vojisllav Sheshel. Deklarata e kreut të ekzekutivit vjen një ditë pas lirimit të Sheshelit nga të gjithë akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

"Imagjinoni se çfarë turpi do të përjetonim sikur ta kishim dërguar Sheshelin në Hagë e ata ta kthejnë pas 25 ditësh. Jam krenar që qeveria e Serbisë ka mbrojtur ligjet dhe dinjitetin e Serbisë, të qytetarëve të saj dhe të Sheshelit. Nuk kam asnjë antipati ndaj tij. Atij dhe familjes së tij u dëshiroj çdo të mirë," – ka thënë Vuçiç për gazetarët në Beograd.

Megjithatë, kryeministri serb Vuçiç thekson se si kryetar qeverie do t’iu kundërvihet ashpër politikave të Sheshelit, që, sipas tij, po e rikthejnë Serbinë në të kaluarën.