19 shtator 2015 – Rëndësia që ka ndeshja mes Shqipërisë dhe Serbisë si dhe rrezikshmëria për incidente ka bërë që në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë të ketë një kontroll të shtuar të kujdesit për personat serbë, por jo vetëm. Në doganë, çdokush që futet me sende të çuditshme kontrollohet me imtësi, aq më tepër kur vjen nga Serbia dhe mbi të gjitha kur në makinën e tij gjenden dy dronë. Dragan Trifunoviç ishte serbi që pak ditë më parë kaloi në pikën doganore të Qafë Thanës me dy dronë në makinë.
Në një intervistë të dhënë për “tangosix.rs”, pronari i dy dronëve shpjegon situatën. “Më kanë kontrolluar si kurrë në ndonjë pikë tjetër doganore. Sapo panë që kisha dy dronë me vete, më kanë parë me imtësi në makinë, madje edhe shishen e verës që kisha me vete. Paranoja anormale për një ndeshje që do të luhet pas më shumë se 20 ditësh”, ka deklaruar shtetasi serb. Trifunoviç është një operator i njohur serb, që merret me filmime nga ajri të reklamave, apo eventeve të ndryshme. Ai pretendon se ka pasur një ftesë nga operatorë turistikë shqiptarë.“Isha me një ftesë në Shqipëri për të bërë një regjistrim në lidhje me promovimin e vlerave turistike të Shqipërisë. Por kjo ftesë as nuk u hyri fare në punë në pikën doganore”, vijon Trifunoviç.
Ky i fundit është edhe drejtuesi i një prej kompanive që ofrojnë filmime të eventeve të ndryshme. Olsi Konomi, drejtori i pikës doganore të Qafë Thanës deklaroi: “Shtetasi serb i ka deklaruar të dy dronët, konform të gjithë rregullave në pikën doganore dhe nuk është ndaluar. Në respekt të procedurave, është shprehur se kishte me vete dy dronë, porosi për një kompani shqiptare me qendër në Tiranë. Janë bërë të gjitha procedurat për deklarimin e tyre, ndërkohë që zhdoganimi i tyre do të bëhet në doganën në Tiranë”, është shprehur Konomi.
/portali DurresLajm/