16 shtator 2015 – Pak më shumë se tri javë në sfida delikate me Serbinë, që do të zhvillohet në Elbasan Arena, një shtetas serb kaloi në pikën kufitare të Qafë Thanës me dy dronë, çka alarmoi autoritetet shqiptare. Fillimisht mediat nxituan të raportonin se personi në fjalë është ndaluar mënjeherë nga Policia, ndërsa më vonë drejtori i Doganës në pikën kufitare të Qafë Thanës sqaroi se personi që posedonte dronët i ka deklaruar konfrom rregulave në fuqi e për rrjedhojë është futur pa asnjë probleme në territorin shqiptar për t’i zhdoganuar në Tiranë. Hyrja e një shtetasi serb në Shqipëri me dy dronë nuk mund të jetë kalohet si diçka normale pas ngjarjeve të stadiumit të Beogradit, që u pasuan me një betejë të gjatë ligjore në institucionet juridike që në fund u fitua nga Shqipëria.
Ekziston frika se serbët po planifikojnë hakmarrjen jo thjesht sportive në fushën e Elbasan Arenës, duke synuar goditjen e Shqipërisë pse jo edhe me shfaqjen e një droni mbi stadium, çka mund të nxiste reagimin e tifozëve shqiptarë, duke krijuar kushtet për përsëritjen e skenarit të stadiumit të Beogradit, për këtë radhë me protagonistë negativë tifozët shqiptarë. Pikasja e një shtetasi serb me dy dronë në doganën e Qafë Thanës, edhe pse konform rregullarë, është një sinjal mjaft domethënës për organizatorët e ndeshjes Shqipëri – Serbi se një “fluturake” si ajo e Beogradit, mund të shfaqet lehtësisht edhe në Elbasan Arena. Shërbimet e sigurisë kombëtare në bashkëpunim me Federatën Shqiptare të Futbollit janë të angazhuara maksimalisht për mbarëvajtjen e derbit ballkanas, që me të drejtë konsiderohet me rrezik të lartë. FSHF-ja do të kërkojë informacion nga SHISH për çdo blerës bilete, për të minimizuar mundësitë që në stadium të futen njerëz të inkriminuar, që mund të shkaktojnë trazira.
/portali DurresLajm/