Qeveria serbe ka miratuar projektin e ndërtimit të një autostrade drejt Kosovës, nga Nishi deri në Merdarë. Punimet pritet të nisin në gjysmën e dytë të vitit të ardhshëm, pas akordimit të financimeve nga Bashkimi Evropian. Lajmin e ka bërë të ditur numri dy i qeverisë serbe, zëvendëskryeministrja Zorana Mihajloviç, e cila është shprehur se kjo autostradë është me shumë rëndësi për Serbinë.
"Për ne kjo autostradë është me shumë rëndësi, jo vetëm për shkak të transportit të mallrave e njerëzve, por për shkak se përmes Korridorit 10 do të lidhemi edhe me Bullgarinë, Shqipërinë e Maqedoninë, dhe kjo do të thotë më shumë punë për kompanitë tona," – theksoi zëvëndëskryeministrja serbe Mihajloviç.
Kësisoj, autostrada Durrës – Kukës – Morinë, e quajtur ndryshe edhe "Rruga e Kombit", vijon me autostradën Vërmicë – Prishtinë – Merdarë, që mban emrin Rruga "Dr. Ibrahim Rugova", për të vazhduar më pas deri në Beograd, pas ndërtimit të autostradës Nish – Merdarë nga Serbia. Projekti i autostradës Nish – Merdarë, ndërtimi i së cilës parashikohet të kushtojë rreth 1 miliardë Euro, do të paraqitet në Samitin e Ballkanit Perëndimor, që është pjesë e Proçesit të Berlinit, dhe që parashikohet të zhvillohet në Paris.
Proçesi i Berlinit, një iniciativë e qeverisë gjermane, synon përshpejtimin e integrimit në Bashkimin Evropian të Bosnje-Hercegovinës, Kosovës, Malit të Zi, Maqedonisë, Serbisë dhe Shqipërisë. Krahas plotësimit të kushteve për integrim nga vendet e Ballkanit Perëndimor, Proçesi i Berlinit parashikon edhe investime serioze në infrastrukturë, dhe theksi do të vihet në projektet me shtrirje rajonale, me qëllim edhe nxitjen e bashkëpunimit mes vendeve të Ballkanit Perëndimor.