Protestuesit në Beograd që po kundërshtojnë siç thonë sundimin autokratik të presidentit, Aleksandër Vuçiç, hynë në ndërtesën e Radiotelevizionit shtetëror të Serbisë, të shtunën në mbrëmje.
Policia u fut në ndërtesë dhe nxori prej andej grupet e protestuesve, përfshirë edhe disa udhëheqës opozitar. Disa nga drejtuesit e protestave thanë më herët se nuk do të largohen, derisa nuk u jepet hapësirë në lajmet qendrore të së shtunës.
Ministri i Brendshëm serb Nebojsha Stefanoviç, paralajmëroi përndjekjen e atyre që hynë në ndërtesë, ndërsa ministri serb i Mbrojtjes, Aleksandër Vulin, i tha televizionit pro qeveritar Pink se protestuesit janë ‘fashistë” dhe duhet të dënohen me ashpërsi.
Ky ishte incidenti më i rëndë pas disa muajsh protesta kundër presidentit serb, teksa protestuesit po kërkojnë dorëheqjen tij, zgjedhje dhe media të lira dhe më shumë demokraci.
Kritikët e akuzojnë presidentin Vuçiç për vendosje të autokracisë nëpërmjet kontrollimit të rreptë të medias dhe nxitjes së gjuhës së urrejtjes ndaj kundërshtarëve. Ai i ka hedhur poshtë këto akuza.