Disa zona të Serbisë qendrore dhe asaj perëndimore kanë shpallur gjendjen e jashtëzakonshme për shkak të situatës kritike të shkaktuar nga përmbytjet. Ministria e Brendshme e Serbisë bën me dije se dhjetëra persona tashmë janë evakuuar. Shërbimi meteorologjik vendas njoftoi se shirat do të rifillojnë nesër dhe gjatë ditëve në vazhdim. “Gjendja e emergjencës është shpallur në Çaçak, Topola, Bajina Basta, Pozega, Novi Pazar, Arilje dhe Lucani për shkak të reshjeve masive të shiut dhe fryrjes së lumenjve,” – njoftoi agjencia zyrtare serbe e lajmeve “Tanjug”.

Kryeministri Aleksandar Vuçiç vizitoi sot Preljinan, qytet i përmbytur në pjesën qendrore të vendit. Kreu i ekzekutivit serb njoftoi për një takim urgjent të qeverisë gjatë ditës së nesërme. “Nuk dua të bëj premtime false. Ne do të ndihmojmë me aq sa kemi mundësi,” – u tha Vuçiç një grupi qytetarësh.