Pjesëtarët e Policisë së Kosovës, të hënën në mesditë, në dalje të Suharekës kanë ndaluar një person të përkatësisë etnike serbe, i cili dyshohet për kryerjen e krimeve të luftës.
Policia ka njoftuar se arrestimi i të dyshuarit me inicialet B.M. është bërë në hyrje të autostradës në Reshtan të Suharekës, për interes të Gjykatës Themelore në Prizren-Departamenti për Krime të Rënda, me kërkesë të Prokurorisë Speciale të Kosovës, shkruan sot “Koha Ditore”.
Zyrtarët e Policisë rajonale të Prizrenit kanë bërë të ditur se i dyshuari ka qenë pjesë e grupit të pelegrinëve që kanë vizituar fshatin Mushtisht për festën fetare lokale, ku edhe është identifikuar dhe më pastaj është ndaluar për shkak të ekzistimit të një flet-arrestimi ndaj tij.
Ka qenë festa fetare e komunitetit ortodoks në Mushtisht, me ç’rast pelegrinët serbë bëjnë vizitë në Kishë, varreza dhe në pronat e tyre në fshat. Pelegrinazhi dhe festa kanë kaluar pa asnjë problem. Gjithsej kanë qenë 54 pelegrinë serbë.
Pasi ka ardhur ky grup në Mushtisht, Policia e ka njohur njërin prej tyre, dhe e kanë ditur që ka flet-arrestim për të, të lëshuar më datën 18.7.2017 nga Prokuroria Speciale dhe Gjykata Themelore në Prizren-Departamenti për Krime të Rënda”, ka bërë të ditur një zyrtar i Policisë rajonale të Prizrenit. Sipas tij, në këtë rast është identifikuar i dyshuari B.M., 72 vjeç, i lindur në fshatin Sopi të Suharekës, që dyshohet për kryerjen e veprave penale që hyjnë në domenin e krimeve të luftës…