Ministria e Punëve të Brendshme të Serbisë njoftoi se mëngjesin e sotëm ka ndodhur një shpërthim në një fabrikë që merret me prodhimin e karburanteve për raketa.

Në kompaninë EDePro në Leshtani, në periferi të Beogradit, shpërthimi ndodhi në një makineri që po prodhonte karburantet.

“Sipas informacioneve paraprake nuk ka të lënduar apo viktima nga shpërthimi”, u tha në njoftim.

Ekipet e emergjencave kanë ndalë në vendin e ngjarjes, ndërkaq si masë mbrojtëse, autoritetet kanë mbyllur një dalje në një autostradë që gjendet afër fabrikës ku ndodhi shpërthimi. Sipas ueb-faqes së EdePro, kjo kompani ofron zgjidhje për pajisje të ndryshme të industrisë së mbrojtjes, sikurse raketat, motorët raketorët dhe dronët.

Leshtani, ku gjendet edhe fabrika e industrisë së mbrojtjes, ndodhet 15 kilometra në lindje të Beogradit. /REL