Tensionet mes Serbisë dhe Kroacisë janë përshkallëzuar pas dëbimit të tre shtetasve kroatë nga territori serb. Kryeministri kroat, Andrej Pllenkoviç, reagoi ashpër ndaj këtij veprimi, duke e cilësuar si të papranueshëm dhe duke kërkuar urgjentisht sqarime nga autoritetet në Beograd.
“Dëbimi i qytetarëve kroatë është një praktikë e papranueshme që nuk ka asnjë bazë. Insinuatat se ata po ndërhynin në çështjet e brendshme të Serbisë janë të pavërteta,” deklaroi Pllenkoviç në një mbledhje të qeverisë më 10 prill, duke bërë të ditur se Kroacia ka dërguar një notë proteste në Ministrinë e Jashtme të Serbisë dhe ka informuar partnerët e saj në Bashkimin Evropian.
Ndër të dëbuarit është Arien Stojanoviç-Ivkoviç, një shtetase kroate me mbi 12 vjet qëndrim në Beograd, ku ka punuar dhe krijuar familje. Ajo u përball me heqjen e lejes së qëndrimit dhe ndalesën për hyrje në Serbi për një vit, pa iu dhënë një shpjegim i qartë. Dyshohet se dëbimi lidhet me mbështetjen e saj për protestat studentore, të cilat prej muajsh kanë përfshirë universitetet serbe.
Sipas ambasadorit kroat në Serbi, Hidajet Bishçeviç, gjatë tre ditëve të fundit janë regjistruar dëbime të tjera, përfshirë edhe kreun e Dhomës Kroate të Tregtisë. Këto zhvillime janë pjesë e një seri dëbimesh të qytetarëve kroatë nga Serbia, nën pretendimin se përbëjnë kërcënim për sigurinë kombëtare.
Në janar të vitit 2025, pjesëmarrës në një punëtori të organizuar nga Fondacioni Erste u dëbuan nga Serbia, duke shtuar dyshimet për një fushatë të qëllimshme të autoriteteve serbe ndaj shtetasve kroatë.
Ndërkohë, presidenti serb Aleksandar Vuçiç ka akuzuar Kroacinë për ndërhyrje në çështjet e brendshme përmes shërbimeve sekrete dhe mbështetjes së protestave studentore, por nuk ka ofruar asnjë provë konkrete për këto pretendime.