SERBI – Sipas njoftimeve nga Beogradi, Serbia emëroi të dërguarin e saj të parë në Kosovë. Dejan Paviçeviç do të jetë përfaqësuesi i Serbisë në zyrën e saj ndërlidhëse në Prishtinë. Ai është njëkohësisht kreu i ekipit negociator serb në dialogun teknik me Prishtinën. Në funksionin e tij të ri, Paviçeviç do të vëzhgojë zbatimin e marrëveshjeve të arritura në Bruksel mes Prishtinës dhe Beogradit.
Qeveria e Kosovës ka emëruar ndërkohë Lulzim Pecin si shef të zyrës ndërlidhëse të Kosovës në Beograd. Emërimi i zyrtarëve ndërlidhës të të dyja vendeve ishte pjesë e marrëveshjeve të arritura në bisedimet ndërmjet kryeministrave të Kosovës dhe Serbisë, Hashim Thaçi e Ivica Daçiç të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian. Fillimisht ata do të veprojnë në kuadër të zyrave të Bashkimit Evropian në Prishtinë dhe Beograd.