DURRËS, 28 tetor 2014– Federata Serbe e Futbollit do të kërkojë riluajtjen e ndeshjes me Shqipërinë në Apel. Lajmin e bëri të ditur zv/presidenti i FSS, Goran Milanoviç, i cili në një intervistë për mediat e vendit të tij theksoi se Serbia ka mbetur e pakënaqur nga vendimi i Komisionit të Disiplinës së Uefa-s, për këtë arsye do të kërkojë në Apel riluajtjen e takimit, nga minuta e 41-të, kur ajo u ndërpre, në një fushë asnjanëse dhe pa tifozë. Por kjo nuk do të jetë e vetmja kërkesë e Federatës Serbe, pasi sipas Milanoviçit, ata do t’i kërkojnë qeverisë së futbollit europian dhe luajtjen e ndeshjet të kthimit në Shqipëri pa tifozë. Nëpërmjet deklaratës së tij, Milanoviç pranoi në mënyrë indirekte se ndaj futbollistëve shqiptarë është ushtruar dhunë, teksa u shpreh se nuk është normale që takimi i tetorit të vitit të ardhshëm, të luhet me tifozë dhe futbollistët serbë të përjetojnë sërish ato momente si në sfidën e Beogradit të 14 tetorit.





