Qeveria e Serbisë ka nisur ndërtimin e një vendbanimi prej 300 shtëpish në veriun e Kosovës, për kthimin e 1500 serbëve nga Serbia. Ky projekt gjigant që quhet “Suncana Dolina” i ngjan kolonizimit dhe është investimi më i madh i Serbisë në periudhën e pasluftës në Kosovë, shkruan sot “Zëri”.

Ky projekt është cilësuar i paligjshëm nga kryeministri Isa Mustafa dhe Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.

Në një hapësirë në mes të komunës së Zveçanit dhe të Mitrovicës së Veriut, pranë kalasë, ka nisur ndërtimi i këtij vendbanimi që serbët e quajnë “Suncana Dolina” (Lugina e Diellit).

Marko Gjuriq, drejtor i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë dhe peshkopi i Argjipeshkvisë Rashkë-Prizren, Teodosije, kanë vendosur gurin e themelit dhe kanë përuruar fillimin e punimeve në këtë lokalitet. Në ceremoni kanë marrë pjesë edhe shumë politikanë serbë nga Kosova dhe Serbia, ndërsa është prezantuar edhe maketi i këtij vendbanimi kolonizues.