BEOGRAD – Serbia i ka bërë zyrtarisht thirrje qeverisë së Shqipërisë të tërheqë deklaratën e saj mbi ngjarjet e fundit në Preshevë. Në një komunikatë të Ministrisë së Punëve të Jashtme serbe theksohet se Berisha duhet të parandalojë veprimet për destabilizimin e situatës në vende fqinje dhe të respektojë të drejtat e minoriteteve në Shqipëri. Shteti serb e konsideron gjuhën e përdorur nën nivelin e çdo komunikimi dinjitoz dhe në kundërshtim me zotimin e Kryeministrit shqiptar.

Deklarata e plotë e Ministrisë së Jashtme Serbe

Ministria e Punëve të Jashtme të Republikës së Serbisë shpreh protestën e saj të fortë kundër Deklaratës së Qeverisë së Shqipërisë për heqjen e monumentit në Preshevë.

Ministria e Punëve të Jashtme e konsideron gjuhën e përdorur në atë deklaratë nxitëse direkt për veprime që ndihmojnë destabilizimin e situatës në jug të Serbisë dhe në të gjithë rajonin, në vendet fqinje ku jetojnë minoritete etnike të Shqipërisë.

Emërtimi dhe akuzat të drejtuara ndaj Qeverisë së Serbisë janë nën nivelin e çdo komunikimi dinjitoz sido që të jetë dhe janë në kundërshtim me zotimin e dhënë nga Kryeministri i Shqipërisë Berisha, personalisht, gjatë vizitës së fundit të Ministrit të Jashtëm të Ivan Mrkiç në Tiranë, se Shqipëria është e gatshme për të hapur një faqe të re në marrëdhëniet dypalëshe mes dy vendeve.

Shpjegimi se retorika nxitëse është për shkak të shqetësimeve mbi statusin e minoritetit etnik shqiptar në jug të Serbisë është një manipulim i rëndë, pasi faktikisht mbrojtja e shqiptarëve dhe çdo minoriteti kombëtar në Serbi është në përputhje me standardet më të larta ndërkombëtare, më të larta se ato të aplikuara ndaj minoriteteve kombëtare që jetojnë në Shqipëri.

Pikërisht për shkak të mungesës së trajtimit brenda kuadrit ligjor që do të sigurojë mbrojtje për serbët dhe minoriteteve të tjera kombëtare në Shqipëri, ne besojmë se autoritetet shqiptare duhet urgjentisht të marrin hapa serioze për të siguruar që komunitetet janë të mbrojtura sipas standardeve të pranuara ndërkombëtare.

Shqipëria, si shtet që thekson se prioriteti i saj është miratimi i vlerave Evropiane dhe anëtarësimi në BE, presim që vërtet ajo të jetësojë prioritetet e shpallura dhe të parandalojë veprimet e saj për destabilizimin e situatës në vende fqinje.