Ministri e Infrastrukturës në Kosovë, Liburn Aliu, ka njoftuar se Serbia ua ka refuzuar kërkesën për vizitë në Medvegjë, Bujanoc dhe Preshevë, atij dhe ministrave, Arbërie Nagavci, Hekuran Murati dhe Hajrullah Çeku.  

Sipas Aliut, atyre u është refuzuar kërkesa pa asnjë arsyetim.

“Në harmoni me procedurat dhe marrëveshjen në Bruksel, ne kemi bërë kërkesë të rregullt me datë 24 Nëntor, duke prezantuar edhe agjendën e vizitës. Refuzimi na është bërë sot në oren 07:13. Në përgjigjen negative të marrë përmes zyrës sonë ndërlidhëse në Beograd, nuk shprehet asnjë arsye, për refuzimin.

Agjenda e aktivitetit të planifikuar, përfshinte vizitën, në datat 27 dhe 28 Nëntor, në të tre komunat e banuara me shqiptarë dhe takime me kryetarët e komunave, përfaqësuesit në parlament, në nivelin lokal dhe me krerët e subjekteve politike”, shkruan Liburn Aliu.

Zyrtarët e lartë të Kosovës do të shkonin në trevat shqiptare për festën e Pavarësisë.