7 janar 2015 – Në Perth si çdo vit po zhvillohet turneu "Hopman Cup", aktiviteti i zakonshëm ekipor që cel sezonin dhe ku skuadrat përfaqësuese përbëhen si nga meshkujt ashtu edhe nga femrat. Një kompeticion tepër i veçantë që hyn në edicionin e 27 dhe që zhvillohet përherë në skajin juglindor të Australisë, në ambjente të mbyllura, në sipërfaqe të shpejtë. Këtë vit 8 skuadrat pjesëmarrëse janë ndarë në këtë mënyrë: Shtetet e Bashkuara, Republika Ceke, Kanadaja dhe Italia në Grupin A ndërsa Polonia, Franca, Australia dhe Britania e Madhe në Grupin B. Hopman Cup nisi që në fillim me surprizë teksa kanadezja Eugenie Bouchard befasoi numrin 1 të botës Serena Williams.
Numri 6 i botës Bouchard shkatërroi veteranen amerikane në vetëm 50' duke lëshuar thjesht 3 game gjithsej. Falë rezultatit 6-2, 6-1 20-vjecarja nga Montreali i dha avantazhin fillestar Kanadasë në një ndeshje pa shumë histori dhe ku Serena Williams kërkoi një kafe ekspres për të vazhduar takimin. Në përfundim 33-vjecarja nga Michigani nuk gjeti fjalë për të justifikuar disfatën e rëndë por gjithsesi motra e vogël Ëilliams pranoi se u ndje e pafuqishme dhe deklaroi se është e bindur se mund të luajë 2.000 herë më mirë. Ndeshjen e radhës numri 1 i botës do ta luajë ditën e enjte ndaj cekes Lucie Safarova, ndërkaq Eugenie Bouchard siguroi fitoren e parë në karrierë në tre përballjet ndërmjet tyre.
Më vonë, Kanadaja siguroi fitoren falë triumfit 6-3, 7-6 të Vasek Pospisil në ndeshjen e meshkujve ndaj shtatlartit amerikan John Isner. Përsa i përket takimit tjetër Republika Ceke triumfoi pa shumë probleme ndaj Italisë. Fillimisht Lucie Safarova mundi 7-5, 6-3 veteranen Flavia Pennetta ndërsa më vonë 20-vjecari Adam Pavlasek që renditet i 239 në klasifikimin ATP rikuperoi nga disavantazhi i setit hapës për të mposhtur 3-6, 7-5, 6-1 numrin 19 të botës Fabio Fognini.





