Jo “Deklaratë e thjeshtuar”, por “Deklaratë e Koklavitur Doganore” e cilëson Gëzim Serenai, pronar i një agjensie spedicionere procedurën e re që ka nisur të aplikohet në portin e Durrësit. Sipas tij kjo deklaratë nuk është hartuar për të bërë transparencë me subjektet e biznesit, por për të krijuar vonesa në kohë, vonesa që përkthehen në kosto financiare por që krijojnë premisa edhe për zhvillimin e fenomenit të korrupsionit.

Gëzimi sapo kishte nisur procedurat për shkarkimin e anijes “SIOUX” me 5023 ton grurë të mbërritur nga Rusia për llogari të kompanisë “Bloja sh.a.”. Zhdoganimi i anijes me grurë i ka kushtuar plot 42 milionë lekë të reja.

Çfarë kostosh i sjell biznesit “Deklarata e thjeshtuar doganore”?

Në gusht hyri në fuqi dhe nisi aplikimin në fillim të shtatorit. Kjo procedurë i sjell kosto në kohë dhe në lekë. Kostoja nis që nga peshorja. Çdo kamion do të paguajë 4 mijë lekë për peshim bosh apo plot në doganë dhe do të paguajë për deklaratën e thjeshtuar minimalisht 5 mijë lekë. Rreth 800 mijë lekë është vetëm kostoja e kësaj deklarate doganore që bie mbi kurriz të spedicionerit.

E njëjta procedurë aplikohet në portin e karburanteve në Porto Romano. Pse biznesi i karburanteve nuk e ka kundërshtuar?

Kjo sepse malli shkarkohet në siloset e karburanteve, ndërsa në portin e Durrësit nuk ka mundësi magazinimi, që subjekti ta hedhë mallin në silose për grurin apo në magazina për mallrat e tjerë. Ka do të thotë që edhe porti edhe dogana janë koshientë që anijet nuk mund ta shkarkojnë mallin në sillose dhe magazinat që mungojnë. Kjo shkakton kosto për anijet në kalata, që rrijnë aty më shumë se tre ditë më shumë sesa ishte planifikuar. Kjo procedurë është shumë e kolavitur, për subjektin e huaj.

Keni një shembull konkret?

Kam sot anijen e cila po shkarkon 5023 ton grurë të mbërritur nga Rusia. Ka qëndruar katër ditë më shumë në kalatë dhe ka paguar 1600 euro për qëndrimin në kalatë. Pa këtë procedurë anija do të përfundonte maksimumi për dy ditë procesin e shkarkimit të grurit. Kjo është kosto e madhe për biznesin.

A keni bërë takime me drejtuesit e doganës?

Ne kemi shkuar tek drejtori i portit dhe ai na tha se kjo procedurë duhet të hiqet. Ndërkaq takuam edhe zotin Endri Pema në Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave, i cili na tha se problemin duhet ta çojmë në kryeministri.

Për mendimin tim dogana është një geto. Një person është këtu ku jemi ne tek drejtoria, një dy kilometra më pas dhe tjetri 200 metra më larg. Që të bëhen këto procedura është e pamundur. Dogana të peshojë ato subjekte ku dyshon dhe jo të gjithë pa përjashtim

Sipas jush cila do të ishte zgjidhja në këtë rast?

Ne duam që të vijojë procedura e mëparshme me import katër, ku subjekti paguan të gjitha detyrimet doganore njëherësh dhe përfundon proceset në kohë të shpejtë. Nuk kemi kundërshtim për procedurën e re të import shtatës, por nuk ka mundësi fizike operatori për magazinimin e mallrave. Kur subjekti i paguan të gjitha lekët  përnjëherë nuk ka pse dogana të krijojë pengesa.

Dogana i ka të gjitha mundësitë të kontrollojë subjektin me Antikontrabandën, Doganën Fizike, të bëjë verifikime të domosdoshme për të shmangur evazionin. Të peshojë ato subjekte ku dyshon dhe jo të gjithë pa përjashtim, sepse ne jemi subjekte juridike që mbajmë përgjegjësi dhe për shkeljen më të vogël na hiqet licensa.

Ne takuam Flamur Gjymishkën, drejtorin e përgjithshëm të doganës. Ai na tha se nuk do ta heqë këtë procedurë. Megjithatë ai pranoi që kjo është një procedurë e parakohshme, sepse porti nuk ka infrastrukturën e nevojshme për ta kryer atë. Për çdo kamion peshë bosh e plot ne po na bëjnë si “lolo”. Jemi taksapagues të rregullt. Për mendimin tim dogana është një geto.

Një person është këtu ku jemi ne tek drejtoria, një dy kilometra më pas dhe tjetri 200 metra më larg. Që të bëhen këto procedura është e pamundur. Drejtori i përgjithshëm na premtoi që mallrat që janë me koli nuk do të peshohen. Po ashtu do të veprohet për ato që janë me deklarata eksporti nga BE, por realisht po ndodh e kundërta në doganën e Durrësit. Po peshohen edhe mallrat që janë me paleta. 

 

REAGIME

Spedicionerët dhe doganierët

Shaban Berisha, një spedicioner thotë se, -“është avantazh për tregtarin procedura e import 7. Kjo është një procedurë shumë e mirë. Do të ndihmonte në mënyrë të jashtëzakonshme tregtarët, të cilët do të mundnin ta zhdoganonin pjesë pjesë mallin. Por nuk ka infrastrukturë, sepse porti i Durrësit, nuk ka magazina apo silose të mëdhenj për mallrat rifuxho, çka ka vënë në vështirësi dhe në pikëpyetje procedurën e deklaratës së thjeshtuar. Po të aplikohet procedura e Deklaratës së Thjeshtuar “Import 7” është mundësi e mirë për të gjithë, ashtu siç ndodh në Porto Romano, ku malli depozitohet dhe zhdoganohet pjesë pjesë,  por në këtë mënyrë me procedurën “Import 4” dhe duke futur deklaratën doganore të thjeshtuar shteti paratë e zhdoganimit t’i merr të gjitha njëherësh dhe vonesat krijojnë kosto të tjera për biznesin. Vonesat  e anijeve në kalatë krijojnë edhe imazh të keq për anijet e huaja. Anijet duhet të përpunohen sa më shpejt, kjo e favorizon biznesin. E kundërta po ndodh aktualisht. Nuk janë në dispozicion në çdo sekondë doganierët, e aq më pak në turnin e tretë. Na mbajnë peng deri në kamionin e fundit për t’u peshuar, ndërkohë që malli vjen me deklarata dhe dokumente prej vendeve të Bashkimit Europian.

Nga ana tjetër procedura është problematike edhe për doganierët të cilët shprehin ankesa kundrejt saj. Në biseda konfidenciale ata shprehen të habitur se sepse është emërtuar “Deklaratë e Thjeshtuar” ndërkohë që procedurat janë zgjatur deri në katër apo pesë ditë, nga dy ditë që ishin një muaj më parë. Një prej doganierëve thotë se, “nuk e di ku e kanë gjetur këtë term. Tani duhet të peshohet çdo kamion dhe vetëm në kamionin e fundit përfundon procedura doganore, kurse më parë bëhej zhdoganimi i plotë i mallit. Për të thjeshtuar nuk e di, por tani biznesi kalon në sitë kontrolli dhe verifikimi. Unë di që na mbajnë 24 orë në punë që kur ka nisur kjo procedurë e re”.

DREJTORI I DOGANES

Hysolli: Jam i detyruar të zbatoj procedurat

Megjithëse shprehet në mënyrë të moderuar në deklaratën e tij për “Dyrrah”, drejtori i Doganës së Durrësit, Jaçe Hysolli, pranon me “gjysëm zëri” se procedura e re doganore është në dëm të biznesit. Duke mos dashur të komentojë nëse janë të drejta apo jo ankesat e operatorëve ekonomikë, ai shprehet se është i detyruar të zbatojë procedurat e firmosura nga shefat e tij.

Procedura e Deklaratës së Thjeshtuar doganore është kundërshtuar nga grupet e interesit, pasi shoqërohet me vonesa dhe kosto financiare. Janë marrë parasysh këto fakte kur është përpiluar ajo?

Ka një kronologji veprimesh. Subjekti duhet të marrë një autorizim, për sasinë e mallit që do të çlirojë në doganë. Atë sasi malli që do të çlirojë duhet ta mbulojë me garanci. Në këtë rast ka lehtësi po ta marrësh nga ana fiskale, sepse nuk e depoziton të gjithë shumën që ka në anije, por mund të bëjë një pagesë pjesore për atë sasi që çliron gjatë ditës. Kjo është për t’u vlerësuar, por ne jemi në kushtet kur infrastruktura portuale, nuk e lejon biznesin të depozitojë mall në port, për asnjë ditë të vetme dhe jo për kohë të gjatë pasi mungojnë magazinat dhe silosët për mallrrat rifuxho. Operatori ekonomik nuk ka vonesa tek shkarkimi i anijes.Koha dhe vonesat e operatorit varen nga mjetet që vë në dispozicion ky subjekt për mallin që ka deklaruar dhe që do të transportojë nga anija tek magazinat e veta. Ndryshimi është i tillë, që nëse deri dje, në kohën kur në port futej një anije, përpilohej një deklaratë doganore për subjektin dhe që në këtë moment ai ishte i detyruar ta vuloste me garanci të gjithë këtë deklarim e më pas të bëhej shkarkimi, me futjen e faturës së thjeshtuar është e kundërta, që do të thotë, bëhet deklarimi i të gjithë sasisë së mallit që është në fatura dhe në dokumentet shoqëruese të anijes dhe subjektit i lind e drejta që të bëjë deklarime për sasinë e mallit që kërkon të çlirojë brenda ditës. Subjekti mbulon me garanci vetëm sasinë që zhbllokon brenda ditës.

Po peshimi nuk përbën një problem për biznesin, pasi regjistrohen vonesa dhe kosto?

Subjekti e ka peshuar mallin dhe më parë, por pesha ka qënë e operatorit. Tani pesha është nën administrimin e doganës dhe mbi bazën e të dhënave që dalin në peshore, përpilohet fatura e të dhënave në momentin që kamioni del dhe shoqërohet me këtë dokument , i cili është zyrtar dhe jep të dhënat që nga emërtesa e mallit, sasia që ka kamioni emrin e subjektit etj.

Përse ka hyrë tani kjo procedurë? A nuk është e shpejtuar?

Është udhëzim i drejtorit të Përgjithshëm të doganave, i cili e ka parë që janë pjekur kushtet që anijet, të futen tek ky modalitet i ri i mbikqyrjes mbi lëvizjen e mallrave në zonën doganore. Unë nuk jam në dijeni pse e kundërshtojnë. Unë nuk kam të drejtë të them që kundërshtimi i tyre është apo jo i drejtë. Unë përfaqësoj një strukturë që zbaton çdo procedurë që buron nga maja e piramidës deri poshtë.

REAGIMI

Ndreu: Mbështes operatorët ekonomikë

Drejtori i APD Eduart Ndreu i pyetur nga “Dyrrah” tha se për këtë çështje është zhvilluar një debat i ashpër midis dy institucioneve; Portit detar dhe doganës. “Dogana ka kaluar në dritë të kuqe domethënë në biznese me rrisk të gjithë operatorët ekonomikë dhe kjo tregon një mungesë besimi që dogana ka ndaj subjekteve që operojnë në Portin e Durrësit. Unë nuk do të doja të bëja shumë komente për këtë situatë të krijuar, por në takimin me operatorët ekonomikë kam dalë në krah të tyre, për shkak se ata kanë të drejtë. Nëse ka subjekte të cilat kanë rrisk, mund të kontrollosh 100 % të mallit që importojnë dhe eksportojnë, por nëse dyshon tek të gjithë kjo është mungesë besimi. Për këtë më mirë mund të flasë drejtori i Përgjithshëm i doganave që kërkon zbatimin e këtij udhëzimi. Porti këto procedura i ka zgjidhur 6 vjet më parë duke lehtësuar procedurat për anijet dhe operatorët e tjerë, spedicionerë e të ngarkim shkarkimit”,- tha Ndreu.