20 korrik 2015 – Sërfi është një prej sporteve më të bukura në botë por mund të jetë gjithashtu dhe një prej më të rrezikshmeve.

Mick Fanning, kampion i botës në fuqi për pak sa nuk përfundoi viktimë e një peshkaqeni teksa po garonte në turneun e J-Bay Open, në gjirin e Jeffrey Bay në afërsi të Port Elizabeth në Afrikën e Jugut. Sërfisti po përgatitej për të vallëzuar me dallgën teksa u sulmua në mënyrë të papritur nga një peshkaqen. Sërfisti u përpoq të shpëtonte, por u tërhoq bashkë me tavolinën e tij të sërfit nën ujë. Zhytja e tij nën ujë terrorizoi publikun e pranishëm ndërsa organizatorët nxituan të nxirrnin menjëherë nga uji sërfistin, që u pa pak çaste më pas shëndoshë e mirë i hipur mbi barkën e shpëtimi.

Për fat, sërfisti 34-vjeçar shpëtoi pa lëndime. I pyetur nga gazetarët, ai theksoi se kaloi momente paniku dhe në fakt peshkaqenët që e sulmuan ishin dy duke e bërë akoma më të frikshëm dhe incidentin që i ndodhi gjatë garimit.

/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/