Lajmet e fundit për Loris Kariusin, se kishte pësuar një tronditje cerebrale për faj të një bërryli të lëshuar nga Serxho Ramos në finalen e Ligës së Kampioneve, e kanë zemëruar tej mase kapitenin e Realit të Madridit, i cili ishte akuzuar më parë edhe për provokimin e dëmtimit të Mohamed Salahut. Kështu, mbrojtësi spanjoll replikoi në mënyrë ironike:

“Pasi portieri tha se unë i shkaktova marramendje pas përplasjes me mua, mungon vetëm që Firmino të jetë ftohur pas ndeshjes, për shkak se një pikë nga djersa ime të ketë rënë mbi të…”.

Pastaj Ramos u bë serioz, duke folur për dëmtimin e Salahut, rënia mbi të cilin gjatë një dyluftimi në pjesën e parë i ndrydhi shpatullën lojtarit më të mirë të Liverpulit, duke e privuar nga pjesa e mbetur e finales që deri në ato momente anglezët po e luanin më mirë se kampionët e Europës.

Ramos thotë se ka komunikuar përmes mesazheve me sulmuesin egjiptian, i cili po lufton me kohën për të qenë gati për Botërorin, pasi mjekët parashikuan një pushim prej 3 javësh:

“Më tha se ishte mirë. Mund të kishte luajtur në pjesën e dytë nëse do të kishte bërë injeksionin. Unë e kam bërë në të shkuarën dhe kam luajtur. Por kur e bën Ramosi një gjë të tillë, atëherë ai sulmohet më shumë.Nuk e di nëse njerëzit e shohin ndryshe, sepse unë jam te Reali i Madridit prej kaq shumë kohësh dhe fitoj prej kaq shumë kohësh…”

“E kanë zmadhuar” – 32- vjeçari tregon edhe përse ka heshtur deri tani. “Nuk doja të flisja, sepse gjithçka është ekzagjeruar. E kam parë mirë aksionin e kontaktit mes meje dhe Salahut. Më rrëzoi fillimisht ai me krah, unë rashë nga ana tjetër. Dëmtimi ndodhi në krahun tjetër. Arritën deri atje sa thanë se i bëra një ndërhyrje xhudo”.

Dhe duke qenë se këto fjalë ish-mbrojtësi i Sevijes i thotë nga grumbullimi i tij me kombëtaren e Spanjës, kuptohet se jehona e atij aksioni në Kiev do të vazhdoj të ndihet edhe në Botëror. Një përballje Spanjë-Egjipt mund të bëjë të flitet sërish për duelin që prishi planet e skuadrës së Jyrgen Klopit, në një prej mbrëmjeve më të pafata të klubit anglez.