23 nëntor 2015 – Java e 13-të e Serisë A nuk do të mbahet mend vetëm për këndimin e himnit francez përpara çdo ndeshjeje të luajtur, në kujtim të viktimave të sulmeve terroriste në Paris. Ndeshjet e luajtura gjatë fundjavës që lamë pas do të kujtohen edhe për kontrollet e imtësishme, të cilave iu nënshtruan tifozët për të hyrë në stadiume.

Pas alarmit të terrorizmit, në stadiumet italiane u vendos në praktikë një plan sigurie, i cili parashikonte kontrolle të forta për tifozët, rritje të personelit që ka për detyrë mbarëvajtjen e aktivitetit, qentë antieksplozivë dhe përdorimi i instrumenteve që arrijnë të dallojnë prezencën e lëndëve plasëse të fshehura në rroba apo në çanta. Frika ishte e madhe mbi të gjitha në “Olimpico”, gjatë ndeshjes Lazio-Palermo. Momentet e panikut u regjistruan prej një çante shpine të harruar në tribunat e impiantit.

Spektatorët lajmëruan policinë, që brenda një kohe të shkurtër identifikoi pronarin e çantës. Ishte i ati i një vajze, që kishte shoqëruar vogëlushen në tualet, duke e lënë çantën e shpinës për disa çaste në stolin ku kishte biletë.

/portali DurresLajm/