Interi humbet dy pikë të vlefshme në garën për titull pas barazimit 2-2 ndaj Parmës në stadiumin Tardini. Skuadra e Inzaghit e nisi mirë, duke kaluar në avantazh me Darmian në minutën e 15-të dhe më pas dyfishoi me Thuram, i cili përfitoi nga një devijim me fat në fund të pjesës së parë.
Në pjesën e dytë, zikaltërit u treguan pasivë dhe kjo i kushtoi: Bernabé realizoi një gol të bukur nga distanca, ndërsa Ondrejka shënoi të dytin pas një devijimi që befasoi portierin Sommer. Ndeshja u mbyll në 2-2, ndërsa mediat italiane si Gazzetta dello Sport dhe Corriere dello Sport shpërthyen me tituj si: “Stop për Interin” dhe “Çmenduri në Tardini!”
Në mbrëmje, edhe Milani nuk shkoi më shumë se një barazim 2-2 ndaj Fiorentinës në San Siro. Miqtë shënuan shpejt me një autogol të Thiaw dhe më pas me Moise Kean, por kuqezinjtë reaguan me Abraham dhe Jović, që vendosi barazimin në minutën e 64-të.
Pavarësisht rasteve të shumta, sidomos në fund, portierët Maignan dhe De Gea ishin protagonistë absolutë duke i ndalur të gjitha tentativat.
Ky barazim lë Fiorentinën ende në garë për një vend në Champions, ndërsa Milani rrezikon seriozisht pjesëmarrjen në Evropë sezonin tjetër.