2 dhjetor 2014 –  Mario Balotelli përfundon sërish në qendër të vëmendjes në Angli, dhe si zakonisht jo për paraqitjet e tij në fushë. Sikur të mos mjaftonin polemikat për jetën e tij jashtë fushe, tashmë futbollisti hetohet dhe nga Federata Angleze e Futbollit me akuzën e racizmit. Arsyeja? Një postim në instagram nga ana e futbollistit, që si për ironi në postimin e tij në krye ka shkruajtur “Mos ji racist, ji si Mario, heroi i videolojërave”. 

Gabimi i Balotellit është se postimin e ka mbyllur me shprehjen: “Kërcen si një i zi dhe kap paratë si një hebre”. Fjalët e përdorura nga lojtari italian janë cilësuar si të papërshtatshme për etiketimin e personave me origjinë hebraike. Lojtari pak orë më pas e prishi postimin e tij dhe u përpoq të largonte çdo akuzë për racizëm duke shkruajtur në Twitter:

“Nëna ime është hebraike, ndaj qepeni të gjithë. Kërkoj ndjesë nëse kam ofenduar ndokënd, postimi donte ishte anti-racist nëpërmjet humorit. Vetëm tani e kuptoj se ka patur efekt të kundërt. Kam përdorur një karton pasi është imazhi i Super Marios dhe pasi mendova se ishte argëtues dhe jo ofensiv. Kërkoj sërish falje”. Një deklaratë që gjithsesi nuk e frenoi FA, të hapte një hetim për lojtarin që tashmë rrezikon një dënim të rëndë, ndoshta deri në pesë javë.