Një tjetër autobus shqiptar me destinacion Athinën, është kapur me drogë, por kësaj radhe në tokën greke në pikën kufitare të Kakavijës.

Sipas policisë greke, një sasi prej rreth 50 kilogramë kanabis sativa ishte e fshehur në disa vende të ndryshme në tavanet e brendshme të autobusit të linjës Sarandë-Athinë, i markës “Scania” dhe targa të Sarandës.

Policia thotë se kishte informacion për mbërritjen e lëndës narkotike, ndërsa drejtuesi i automjetit, një banues në Sarandë, mësohet t’u ketë thënë agjentëve se nuk kishte lidhje me ngarkesën e drogës, por nuk mundi të justifikojë sesi ishte fshehur në tavanet e brendshme të mjetit. Kështu, ai u arrestua.

Ndërsa, pasagjerët u dërguan në destinacion me një mjet tjetër të kompanisë.

Një ditë më parë, një autobus i linjës Tiranë-Athinë, u kap me 8.7 kg kanabis në Kakavijë, ku u arrestuan dhe dy shoferët.