17gusht 2015– Gabimi shtetëror në lidhje me pasaportat biometrike bie sërish në kurrizin e qyterarëve. Mësohet se 156 mijë fëmijë shqiptarë do të duhet të riaplikojnë për paisjen me pasaporta biometrike, pasi në periudhën 2009-2010 Ministria e Punëve të Brendshme ka prodhuar këtë numër pasaportash me një afat 10 vjeçare, çka bie në kundërshtim me ligjin. Ligji për paisjen me pasaporta të shtetasve shqiptarë parashikon që afati i vlefshmërisë për shtetasit nën 16 vjeç është 5 vite.
Riaplikimin e 156 fëmijëve që jetojnë brenda dhe jashtë shqipërisë e ka konfirmuar drejtoresha e sistemeve informatike në Drejtorinë e Pergjithshme të Gjendjes Civile, Miranda Harizaj, e cila pohoi se korrigjimi i këtij gabimi ka filluar që në Korrik të vitit 2010.
Në lidhje me faktin nëse familjarët janë të informuar apo jo me këtë ndryshim, Harizaj tha për Top Channel se me konstatimin e këtij problemi dhe me afrimin e periudhës së skadimit të atyre pasaportave, në sistemin TIMS të kontrollit të kufirit – ku vlerësohen dokumentet e identifikimit të të gjithë shtetasve që dalin apo hyjnë në Shqipëri, – është bërë zëvendësimi.
Më tej, ajo tha se afati të vlefshmërisë së këtyre pasaportave është shtyrë me 1 vit, në mënyrë që t’iu lihej kohë për njoftimin dhe për pajisjen me dokumentin e ri.
Ditët e fundit, në sportelet e shpërndarjes së pasaportave në shumë qytete janë evidentuar rradhë të gjata të qytetarëve që prisnin pë të aplikuar e për t’u paisur me pasaporta.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





