Nis të “lulëzojë” sërish kanabisi në fshatrat e Krujës. Pas operacionit policor “Krasta 2” që çoi pas hekurave 3 persona dhe asgjësoi 2080 bimë narkotike kanabis sativa, një tjetër operacion është zhvilluar këtë herë në zonën e Niklës.
Policia e Durrësit bën të ditur se janë gjetur dhe asgjësuar 675 bimë kanabis sativa, ndërsa po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Njoftimi i policisë:
Specialistët për Krimet në Komisariatin e Krujës, në bashkëpunim me efektivet e Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, FLO të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, në bazë të informacioneve të siguruara nga strukturat policore dhe në zbatim të Plan Veprimit për kontrollin e territorit për kultivim të bimëve narkotike, në Njësinë Administrative Nikel, në ambjent të pyllëzuar gjetën dhe asgjesuan 675 bimë Cannabis Sativa.
Po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Krujë për veprime të mëtejshme për veprën penale "Kultivimi i bimëve narkotike" parashikuar në nenin 284/3 të Kodit Penal.





