Durrës, 20 maj 2014 – Toka lëviz sërish në afërsi të epiqendrës së tërmetit të fuqishëm të orëve të para të mëngjesit të së hënës.

Në orën 06.43, Instituti Sizmiologjik ka regjistruar një tjetër lëkundje sizmike me manjitudë 4.5 ballë.

Epiqendra e këtij tërmeti ka qenë 9 km në jug të qytetit të Cërrikut, ndërkohë që është regjistruar në thellësinë 14 km.

Lëkundjet e tokës janë ndjerë në disa qytete të vendit duke rikthyer edhe njëherë frikën e banorëve për përsëritjen e tërmetit të një dite më parë me manjitudë 5.2 ballë, i cili shkaktoi dëme të shumta materiale në disa qytete.

Një ditë më parë, në orën 02.59 minuta u regjistrua një tërmet i fortë 5.2 ballë, epiqendra e të cilit ishte 6 km në jug të Belshit, Elbasan.

Ai u pasua nga 7 lëkundje të tjera, më e forta nga të cilat kishte intensitet 4.1 ballë dhe epiqendër 11 km në jug të Cërrikut.

Fatmirësisht nuk u njoftuan të lënduar në njerëz, por vetëm për dëme materiale nga lëkundjet sizmike. Kështu, raportohet se në Lushnje është shembur një banesë, janë dëmtuar 20 të tjera, ndërsa në Cërrik janë dëmtuar 3 pallate si dhe 3 shkolla, 2 në Belsh dhe 1 në Bërzhitë të Tiranës. 13 banesa raportohet të jenë dëmtuar edhe në rrethin e Gramshit, ndërkohë që ka plasaritje në shkollën e mesme të komunës Lenie.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/