Për të tretën herë brenda muajit maj, Këshilli Bashkiak Durrës do të mblidhet në mbledhje jashtë radhe me mjetet e komunikimit elektronik.
Mbledhja do të zhvillohet paraditen e së mërkurës, në orën 11.00.
Në rendin e ditës janë përfshirë 4 pika, ku e para konsiston në miratimin e listës emërore të familjeve, që do të trajtohen nga fondi i akorduar nga organizata UNICEF, si ndihmë financiare për shkak të gjendjes së fatkeqësisë natyrore të shkaktuar nga Covid – 19.
Ndërkohë 3 pikat e tjera kanë lidhje me 3 nga 4 zonat e Rindërtimit në Durrës. Qeveria Rama ka miratuar 4 zona Rindërtimi në Durrës, ndërkohë që pak ditë më parë u prezantua në komitetin e Rindërtimit nga arkitekti italian Mario Cucinella projekti që do të zbatohet në zonën e Spitallës e ku pritet të sistemohen 1728 familje të mbetura të pastreha nga tërmeti i 26 nëntorit.
Këshilltarët do të votojnë për vijimin e proҫedurës së miratimit të planit të detyruar vendor të zonës 2, njësia administrative nr.4; të zonës 3, njësia administrative nr.5, Shkozet dhe të zonës 4, njësia administrative nr.6.
Mbetet ende për t’u hartuar e prezantuar plani i detyruar vendor për zonën 1, në njësinë administrative nr.5, Shkozet.





