E ardhmja e Roberto Mancinit te Interi mbetet ende e paqartë. Takimi i organizuar sëfundmi mes presidentit të Interit Erick Thohir dhe trajnerit italian në Shtetet e Bashkuara nuk ka shërbyer për të rikthyer qetësinë në shtëpinë zikaltër. Në Portland aty ku Interi është zhvendosur prej disa ditësh për të vazhduar fazën përgatitore ka patur një bisedë kokë më kokë mes manjatit indonezian dhe trajnerit Mancini, por ky takim nuk ka sjellë asgjë të re. Situata te Interi vazhdon të mbetet delikate dhe tashmë pritet takimi që do të ketë trajneri Mancini me pronarët e rinj të klubit, grupin kinez Suning. Mancini priste që nga ballafaqimi me presidentin të arrinte një marrëveshje të re për rinovimin e kontratës aktuale e cila i skadon në verën e vitit 2017, por Thohir nuk i ka siguruar asgjë teknikut duke ia bërë të qartë se në bazë të rezultateve që do të arrijë skuadra deri në muajin Dhjetor do të kuptohet edhe nëse 51 vjecari nga Iesi do të vazhdojë të qëndrojë në stolin e Interit ose jo. Për të zhbllokuar ndoshta situatën pritet mbrritja në Amerikë e drejtuesve të rinj të klubit me në krye manjatin kinez të elektronikës Zhang Jindong. Për të vazhduar aventurën e tij te Interi Roberto Mancini kërkon siguri por në të njëjtën kohë edhe përforcime në merkato.





