Sërish shpërthim me eksploziv biznesmenit Arlind Lala në Shijak. Pas klinikës dentare, shënjestra e radhës ka qenë inceneratori, firma që përpunon mbetje spitalore.

Policia e Durrësit bën me dije se “mbrëmë rreth orës 22:55, në Shijak, në afërsi të derës së magazinave të marra me qira nga shtetasi A. L. 33 vjeç banues në Shijak, e cila përpunon mbetje spitalore është hedhur dhe ka shpërthyer një sasi e vogël lënde plasëse.

Për pasojë, janë shkaktuar dëme të vogla materiale te dera e dhomës frigoriferike.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua një copë fitil zjarr- përcjellës”.

Autorët janë ende të paidentifikuar, ndërkohë që policia ka nisur punën për identifikimin dhe kapjen  e tyre.

Duket se 33-vjeçari Arlind Lala, me profesion stomatolog, nuk po gjen më qetësi prej inceneratorit që ka hapur në Shijak për përpunimin e mbetjeve spitalore. Banorët e Shijakut u ngritën në një protestë më 6 shtator kundër funksionimit të kësaj fabrike, pasi sipas tyre, ajo shkakton ndotje të madhe mjedisore. Ata deklaruan se do të ndalojnë hapjen e saj me çdo kusht.

Në këtë protestë, njëri prej protestuesve dhunoi vetë 33-vjeçarin Lala me mjete të forta duke i shkaktuar frakturë në nofull. Ndërkohë, pesë ditë më vonë, persona të paidentifikuar i vendosën lëndë plasëse në derën e klinikës së tij dentare në lagjen “Petrit Llaftiu” në Shijak.

Të dyja rastet e shpërthimeve nuk janë zbardhur ende nga policia.