8 persona kanë mbetur të vdekur gjatë natës së shkuar teksa po kalonin përmes Kanalit të La Manshit nga Franca në Angli. 

Siç shkruajnë mediat e huaja, gomonia me 50 persona në të, nisi të fundosej pak kohë pasi u largua nga bregu. Kjo tragjedi pason atë të para dy javëve ku 12 persona u mbytën, përfshirë fëmijë dhe një grua shtatzënë. 

Një zëdhënës i qeverisë britanike konfirmoi incidentin e kësaj të Diele dhe theksoi se autoritetet franceze po merren me hetimin e rastit. Ai përsëriti gjithashtu planin e qeverisë për të punuar me partnerët evropianë kundër bandave kriminale që merren pikërisht me këtë veprimtari të paligjshme. Ka pasur një sërë tentativash për të kaluar Kanalin në dy ditët e fundit. Autoritetet detare franceze konfirmojnë se 200 persona u shpëtuan brenda 24 orëve. 

Vetëm brenda këtij viti, në Kanalin e La Manshit janë mbytur 45 persona, numri më i lartë ky që prej 2021-t. Po ashtu raportohet se mbi 21 mijë persona janë futur në Britaninë e Madhe me gomone.