ITALI, 18 shkurt 2013- Mbrojtësi i Realit të Madridit, Serxhio Ramos, po kalon kohë të vështira. Ai u vendos në bankën e të akuzuarve për golin e pësuar në ndeshjen e Ligës së Kampionëve me Mançester United, ndërsa u ndëshkua me karton të kuq brenda një minute në sfidën me Rajo Valekanon, duke lënë Realin me 10 vetë për më shumë se 65 minuta lojë.
Një gjest që ka irrituar jo pak futbollistin por edhe trajnerin e tij, Jose Mourinho, që kanë nisur sërish një konflikt verbal në distancë. Në një deklaratë të dhënë për mediat, Ramos, nuk ka kursyer thumbimet ndaj trajnerit të tij, duke iu referuar kritikave të tij pas ndeshjes me “Djajtë e Kuq”.
“Nuk është në stilin tim të tregoj me gisht drejt kolegëve apo futbollistëve të Realit kur dikush prej tyre gabon. Kjo është çështje edukimi”, ka thënë Ramos.
Mesazh ky i qartë për trajnerin, deklaratat e të cilit duket se nuk i pëlqejnë aspak Ramosit, që me reagimin e tij pritet të shpërthejë një tjetër bombë në dhomat e zhveshjes së Realit.
Mbrojtësi gjithashtu ka qenë i irrituar edhe për kartonin e kuq të marrë ndaj Rajo Valekanos, nuk harroi të kritikonte edhe gjyqtarët për vendimet e tyre të nxituara: “Më vjen keq për situatën e krijuar. Nuk është normale që të të nxjerrin jashtë për dy minuta. Nuk bëra ndërhyrje të ashpra dhe as dashakeqe. Ishin thjesht duele që ndodhin në lojës e sipër. Kartoni i parë i verdhë për më tepër ishte inekzistent. Futbolli spanjoll meriton gjyqtarë më të mirë sepse te ne luajnë futbollistët më të mirë të botës”, ka shtuar Ramos. Ai, si pasojë e kartonit të kuq të marrë ndaj Rajos, do të mungojë në ndeshjen e kësaj fundjave ndaj Deportivo La Korunjës.