Përmes një postimi në rrjete sociale, këngëtari Ermal Meta ka dhënë lajmin e trishtë se mësuesja që e frymëzoi për këngën “Vietato Morire” (E ndaluar të vdesësh) nuk jeton më.
Teksa ka publikuar në Instagram një foto të vjetër nga shkolla në Fier, Ermali zbulon se i kishte premtuar mësueses së ndjerë që do e vizitonte këtë verë, ditën pas koncertit që do të mbajë në Shqipëri.
“Mësuese Margarita nuk është më. Kisha premtuar që ta vizitoja një ditë pas koncertit që do të bëj në Shqipëri këtë verë. Do kisha dashur ta përqafoja dhe ta falënderoja. Jam i sigurt se do të kisha gjetur të njëjtin shikim të ëmbël që gjeja sa herë që hyja në klasë dhe të mos mundem ta bëj më këtë gjë më dhemb. Përshëndetje mësuese, fëmijët e tu të përshëndesin dhe unë të falënderoj për të gjitha përkëdheljet e tua në secilën prej plagëve të mia”, shkruan Meta.





