Vaksinimi masiv i popullsisë, veçanërisht ai i operatorëve turistikë, shifrat e ulta të rasteve të reja si dhe asnjë kufizim në kufi për shtetasit e huaj, e ka bërë Shqipërinë destinacion mjaft të preferuar këtë verë. Pas dëmeve të tërmetit të nëntorit 2019 dhe pandemisë më shumë se një vjeçare, sezoni turistik në Durrës ka pritshmëri të mira.

Në një intervistë për “DurrësLajm”, menaxheri i hotel “Palace”, Majk Kulla, shprehet me nota mjaft optimiste për mbarëvajtjen e këtij sezoni.

“Jemi të lumtur pasi situata i është rikthyer normalitetit. Politika e ndjekur nga qeveria shqiptare për vaksinimin e punonjësve na rezultoi shumë efektive, jemi të lumtur që jemi vaksinuar. Vendet fqinje janë duke na vizituar dhe sigurisht me këtë fushatë ne kemi hapur disa tregje të reja siç janë Arabia, Izraeli dhe shumë vende të tjera që më parë nuk e kanë vizituar vendin tonë” – thotë Kulla.

Risia e këtij viti është ardhja në vendin tonë e një numri të konsiderueshëm të turistëve nga Arabia Saudite.

“40% e rezervimeve janë nga Arabia Saudite. Ne kemi qenë shumë të surprizuar në momentet e para kur filluan të përzgjedhin Shqipërinë dhe më pas hotelin tonë”.

E ndërsa vende si Izraeli, Ukraina etj regjistrojnë numrin më të madh të turistëve të huaj që pushojnë pranë vijës sonë bregdetare, peshë të konsiderueshme vazhdojnë të mbajnë pushuesit nga trevat shqipfolëse.

“Shqiptarët e Kosovës janë një numër i konsiderueshëm pushuesish. Nga të gjithë vendet e botës pak a shumë, më së shumti shqiptarët e Kosovës që jetojnë në Zvicër, Gjermani” – thotë Kulla.

Për menaxherin e njërit prej hoteleve më të njohur në Durrës, stërvitja ushtarake ndërkombëtare Defender Europe 2021 ishte një mundësi shumë e mirë, sidomos për ushtarakët amerikanë të zbulonin Shqipërinë dhe Durrësin. Sipas Kullës, ata kanë premtuar të rikthehen, këtë herë si turistë.

“Të gjithë gjeneralët kanë zgjedhur të pushojnë dhe akomodohen në hotelin tonë dhe feedback-u i tyre ka qenë maksimal. Jo më larg se dje kemi marrë një letër falenderimi nga ambasada amerikane dhe Ministria e Mbrojtjes. Gjithë ushtarakët që ishin për punë, na kanë premtuar se do të rikthehen për pushime sepse kanë mbetur të mahnitur nga bukuritë e Shqipërisë dhe bukuritë e qytetit të Durrësit.”

Megjithëse duket një parashikim pak si shumë optimist, Kulla është i bindur se sezoni i këtij viti do të jetë po aq i suksesshëm sa ai i vitit 2019, ndërkohë që kohëzgjatja pritet të shtyhet deri në mesin e tetorit.

Në këto ditë përvëluese vere, vija bregdetare e Durrësit është e mbushur me pushues. Duket se qytetarët janë të etur për të pushuar pas kufizimeve të zgjatura, ndërsa bizneset shpresojnë në një ngritje ekonomike të kënaqshme.

M.B.