Si zakonisht me fundin e pranverës vjen edhe stina e provimeve të lirimit për shkollat 9-vjeçare dhe të pjekurisë për shkollat e mesme. Mësuesit përpiqen me të gjitha forcat dhe mjetet, që t’u japin nxënësve të tyre më shumë njohuri dhe t’ua bëjnë ato të qëndrueshme. S’ka rrugë tjetër, është e vetmja mënyrë që ata të ndihen të sigurt ditën kur do përballen me të panjohurat e provimit. Mjafton një bisedë e shkurtër me mësuesit dhe nxënësit e shkollës 9-vjeçare në Shkallnur, me të cilët patëm rastin të takohemi këto ditë të fundprillit dhe të kuptohen lehtë të gjitha ndjesitë e afrimit të provimeve. Drejtori i shkollës, Muhamet Merja shprehet:
“Jam i kënaqur me punën dhe përkushtimin e të gjithë mësuesve, në veçanti të klasave të nënta. Vitin e kaluar nuk patëm asnjë mbetje në provim. Për ne, për shkollën dhe për nxënësit tanë është sukses. Edhe këtë vit besoj se do të kemi rezultate të mira, veç këmbëngul në kërkesën e drejtorisë që vlerësimi i mësuesve për nxënësit të jetë sa më real, sa më pranë të vërtetës. Askujt nuk i intereson nota fiktive, as nxënësve e as prindërve, ca më pak mësuesve”.
Të gjithë mësuesit, që kanë sado pak përvojë në arsim, në çdo lloj niveli qofshin, e dinë mirë se gjatë gjithë vitit dhe sidomos në prag provimesh, kanë në vetvete dy shqetësime; i pari është për nxënësin, që duhet të dalë me rezultate të mira, sepse për të është investuar gjithë ajo punë, gjithë ai mund e përkushtim si nga shkolla e mësuesi, ashtu edhe nga familja. Është përgjegjësi shtetërore, morale dhe shpirtërore ndaj nxënësit, që përgatitet për të dalë i suksesshëm në jetë. Bashkë me të parin, qëndron edhe shqetësimi i dytë; meraku për vetveten, pasi rezultati i nxënësve është vlerësim dhe notë edhe për vetë mësuesin.
Në bisedë me mësuesit Teodor Kajana, Hasan Kasa, Liliana Koni, të tre mësues të gjuhës dhe letërsisë shqipe dhe Hana Golemi e Faik Tusku, mësues të matematikës, mësojmë se në semestrin e dytë, në shërbim të provimeve, një pjesë të madhe të kohës ia kushtojnë konsultimeve dhe përsëritjes vjetore.
Teodori, si më i vjetri dhe me më shumë përvojë, shprehet: “Kam një jetë të tërë që punoj si mësues, ndaj dhe kam kaluar shumë provime, e disa breza nxënësish. Këmbëngul që nxënësit e mi, me njohuritë që kanë fituar dhe vlerësimin që marrin, të justifikojnë punën, mundin dhe përpjekjet e disa viteve bashkë. Nuk është e lehtë. Të gjithë e pranojmë këtë. Po fakti është se nga rezultatet e viteve të shkuara nuk jam zhgënjyer. Të njëjtin përfundim pres edhe këtë vit. Unë së bashku edhe me kolegët e tjerë, përpiqemi të ngjallim tek nxënësi guximin dhe bindjen, se kanë njohuri dhe janë të aftë të përballen me provimet edhe pse në sallë nuk ndodhet mësuesi i tyre, edhe pse testet korrigjohen jo nga ne, por nga të tjerë mësues. Së bashku me nxënësit, jemi në ankth deri ditën që shpallen rezultatet përfundimtare të vlerësimit. Kështu e ka kjo punë: Punojmë disa vjet dhe provohemi për një orë”.