Me fillimin e sezonit turistik, Policia Bashkiake e Durrësit ka njoftuar masat e reja që janë ndërmarrë, në lidhje me menaxhimin e hedhjeve të mbetjeve urbane.

Në një postim në rrjetet sociale, Policia Bashkiake njofton të githë qytetarët se orari i hedhjes së mbetjeve do të jetë nga ora 06:00 deri në orën 23:00.

Ndërsa për subjektet private, bizneset me aktivitet shërbimi hoteleri, restorant, supermarket, resort si dhe cdo subjekt tjetër, orari i hedhjes së mbetjeve do të jetë nga ora 23:00 deri në orën 04:00.

Postimi i plotë:

NJOFTIM

Me fillimin e sezonit turistik shërbimet e policisë bashkiake kanë njoftuar, sensibilizuar dhe rikujtuar të gjithë qytetarët dhe veçanërisht subjektet që ushtrojnë aktivitetin e tyre në hotele, resorte, bar-restorante, si dhe çdo biznesi tjetër, qe të respektojnë orarin e hedhjes së mbetjeve të vendosur nga Bashkia.

Policia Bashkiake në zbatim të planit të masave për sezonin turistik veror 2024 është e angazhuar maksimalisht në bashkëpunim me Policinë e Shtetit me qëllim monitorimin, sensibilizimin, ndërgjegjësimin dhe ndëshkimin e të gjithë subjekteve/ individëve, të cilët shkelin ligjin dhe aktet normative në fuqi duke shkaktuar ndotje në mjedis.

Gjatë sezonit turistik veror 2024 shërbimet e Policisë Bashkiake do të jenë prezente në të gjithë vijën bregdetare duke dhënë një shërbim më të mirë ndaj qytetarëve dhe pushuesve në të gjithë vijën bregdetare të Bashkisë Durrës.

Ju vëmë në vëmendje se orari i hedhjes së mbetjeve urbane është:

▪️Për qytetarët/familjarët, orari i hedhjes së mbetjeve do të jetë nga ora 6:00 deri ne orën 23:00.
▪️Për të gjithë subjektet private, bizneset me shërbim hoteleri, restorant, supermarket, resort si dhe çdo subjekt tjetër, orari i hedhjes së mbetjeve do të jetë nga ora 23:00 deri në orën 04:00.