Këtë sezon veror, turistët e huaj nuk do të kenë mundësi të vizitojnë disa nga monumentet apo sitet arkeologjike dhe historike të Durrësit. Kjo për shkak se ato janë në proces rijetësimi, në kuadër të programit EU4Culture.

Punimet e nisura për rikonstruksionin e Muzeut Arkeologjik dhe Hamamit turk, të dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit 2019 vijojnë. Ato pritet të përfundojnë brenda këtij viti.

“Edhe në Muzeun Arkeologjik, edhe në Hamam janë duke u kryer punimet për rikonstruksionin e tyre. Ato janë objekte që për momentin i kemi të mbyllura, nuk i kemi të vizitueshme, por shumë shpejt, brenda këtij viti do t’i kemi këto objekte gati, duke shërbyer në këtë mënyrë për rritjen e numrit të vizitorëve, por njëkohësisht edhe për një ofertë më të mirë dhe më të plotë për turistët që do të vijnë”,- tha Alban Ramohitaj, drejtori i Qendrës Muzeore Durrës.

Amfiteatri i Durrësit, monumenti më i vizituar nga turistët e huaj, do të jetë i hapur përgjatë gjithë sezonit turistik. Ndërkohë lajmi i mirë është që edhe Kulla Veneciane shumë shpejt do të presë vizitorët e parë.

“Me hapjen e sezonit do të kemi edhe Torrën Veneciane gati për të pritur turistët e huaj”,- thotë Ramohitaj.

Sezoni turistik që lamë pas rezultoi më i suksesshmi i viteve të fundit. Referuar shifrave zyrtare, hyrje-daljet në portin më të madh në vend kanë qenë 14% më të larta sesa në vitin 2021, ndërsa boom vizitash ka pasur në sitet arkeologjike.

Amfiteatri dhe Muzeu Arkeologjik janë vizituar nga më shumë se 28 mijë turistë, shifër kjo dyfish më e lartë sesa viti 2021. 

M.B.