Pritet që sezoni turistik veror të startojë me infrastrukturë të cunguar në vijën bregdetare të plazhit të Durrësit. Ndërmarrja Komunale e Plazhit është drejt përfundimit të plugimit dhe dezinfektimit të rërës, por mungesa e disiplinës është evidente në vijën bregdetare nga Ura e Dajlanit deri tek pista Iliria.

Pushuesit që kanë frekuentuar bregdetin e Durrësit këtë fundjavë shprehen të pakënaqur që po përballen me këtë situatë. Ata thonë se po përballen me infrastrukturë të cunguar, si papastërtia përgjatë vijës bregdetare, mungesë të rojeve bregdetare, mungesë të dusheve dhe banjave publike. 

Një tjetër shqetësim për pushuesit, sidomos ata vendas, është mungesa e hapësirave publike në bregdetin e Durrësit. Bashkia e qytetit ka vendosur në dispozicion për pushuesit vetëm katër parcela publike, ndërsa e gjithë vija bregdetare është zaptuar nga privati. 

Ndonëse jemi në fund të muajit maj, sezoni turistik veror nuk është çelur ende në qytetin bregdetar të Durrësit, për shkak se vija bregdetare ka nevojë edhe për disa ditë për të qenë gati për të pritur pushuesit.

K.H.