Mjetet e tonazhit të rëndë nga kjo e premte do të qarkullojnë me orare të reduktuara në akset kryesore të vendit dhe kryesisht ato turistike.

Udhëzimi i përbashkët i ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj dhe atij të Transporteve Damian Gjiknuri ka hyrë në fuqi prej 15 qershorit dhe do t'i shtrijë efektet e tij deri më 15 shtator dhe mjetet që kufizohen janë ato me tonazh mbi 7.5 tonë, mjete me gjatësi 12 m dhe ngarkesë të pandalshme si dhe makina bujqësore, teknologjike dhe traktor me shpejtësi nën 40 km në orë.

Sipas këtij udhëzimi, kufizimet shtrihen përgjatë fundjavës duke nisur nga dita e premte deri të dielave ora 00:00 dhe për këdo shkelës penalitetet do të jenë ekstreme me gjobë dhe bllokim mjeti.

Të premteve kufizimi për të përdorur akset rrugore nga mjetet e sipërcituara nis në ora 15:00 deri në orën 22:00.

Të shtunën kufizimi nis prej orës 08:00 deri në 12:00 duke lejuar një hapësirë prej 4 orësh dhe rikthehet sërish në ora 16:00 deri në ora 22 të mbrëmjes.

Për ditët e diela ky kufizim është edhe më i gjatë duke nisur në ora 07:00 deri në orën 22:00.

Akset që nuk do të lejohet qarkullimi i mjeteve të tonazhit të rëndë janë nga ato të pikave kufitare e deri në zonat bregdetare si Hani i Hotit, Muriqan, Qafëthanë, Morinë, Kapshticë, Kakavijë.

Po ashtu akset që do të kufizohet prekin dhe plazhet në qarkun e Shkodrës, Lezhës, Durrësit, Kavajës, Fierit, Vlorës, Sarandës, Pogradecit.

Patrullimet e policisë kanë nisur nga kjo e premte të zbatojnë këto masa edhe në Tiranë-Durrës me drejtim Gjirin e Lalzit.

Në këto kufizime është përfshirë dhe Tepelena dhe Bajram Curri për shkak të lidhjes së tyre me turizmin kulturor. Mjetet e tonazhit të rëndë janë të ndaluara të qarkullojnë përgjatë fundjavave edhe në akset e kishës së Laçit apo malit të Tomorrit për shkak të peligrinazheve që kryhen në këto dy vende të riteve fetare.