Durrës, 10 qershor 2014 – Policia e Shtetit ka vënë në dispozicion të Policisë së zonave bregdetare 100 biçikleta, që do të përdoren për patrullimet në plazhe. Ky vendim është një risi për planin e masave që ka marrë këtë vit Policia, për të siguruar qetësinë dhe rendin në zonat turistike.

Është hera e parë që Policia vendos në përdorim mjete të tilla, sa ekologjike e ekonomike, aq edhe praktike në zona, që gjatë sezonit të verës kanë dyndje të pushuesve e për pasojë, edhe të automjeteve që rëndojnë trafikun. Biçikletat janë të pajisura me shenjat dalluese të Policisë, me mbishkrimin “Policia e Shtetit”, numrin e sallës operative 129, si dhe me logon e Policisë.

Burime nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë thanë dje se aktualisht janë 100 biçikleta që do futen në funksion brenda 10 ditëve të ardhshme, ndërsa patrullat do të jenë me nga dy punonjës Policie. Sipas specialistëve të Policisë, përzgjedhja e biçikletave është bërë në mënyrë që efektivët e rendit ta kenë më të lehtë ndërhyrjen pranë zonave të plazhit dhe në shëtitoret ku, për shkak të mbipopullimit dhe numrit të madh të makinave, është e pamundur të lëvizet me automjetet e Policisë.

Gjithashtu këto mjete u japin mundësi shërbimeve të Policisë që të ndërhyjnë më me shpejtësi në zona ku makina e ka të vështirë të futet dhe t’u vijnë në ndihmë qytetarëve në një kohë më të shpejtë. Burimet thanë se ky është një projekt, që paraprakisht do të vihet në zbatim vetëm në zonat bregdetare gjatë këtij sezoni veror, por po studiohet mundësia që biçikletat të jenë pjesë e mjeteve të Policisë edhe në zona të tjera.

/gazeta “Panorama”/